Cila shkollë ka gjasë të mbyllet, pasi që dy persona rezultuan pozitiv me Covid-19, flet drejtori

| E Marte  29 Shtator 2020 11:51 |
Cila shkollë ka gjasë të mbyllet, pasi që dy persona rezultuan pozitiv me Covid-19, flet drejtori

Pas testime të bëra, në shkollën “Hivzi Sulejmani”, në Fushë Kosovë, dy punonjës kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.

Në një prononcim për Portali.info, drejtori i kësaj shkolle, Amir Pllana, ka treguar se çfarë masa do të ndërmarrin pas këtij rasti dhe si është gjendja shëndetësore e të infektuarve.

“Dje me datë 28.09.2020 ( e hënë), në gjimnazin "Hivzi Slejmani", në Fushë - Kosovë, nga ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar komplet stafi arsimor 34 mësimdhënës - mostra të marra nga ShSKUK prej të cilëve rezultojnë 2 raste pozitive”, ka treguar drejtori.

Tutje, ai ka thënë se mësimi do të zhvillohet normalisht, me mungesë të dy mësimdhënësve prej personelit të tyre, të cilët tashmë janë vetë izoluar.

“Këta dy nga personeli i shkollës tonë, njëri është mësimdhënës me normë të përgjysmuar, ndërsa tjetri është punonjës teknik. Këta të dy tashmë nuk vijnë më në shkollë për 2 javë, ata janë izoluar dhe po iu përkushtohen rekomandimeve të mjekut”, ka treguar Pllana për Portali.info.

Ai për fund ka treguar se është në kontakt me punonjësit e infektuar me Covid-19 dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, ndërsa nuk parasheh rrezik për nxënësit e asaj shkolle, pasi që mësimi në vazhdimësi është zhvilluar me masa të shtuara mbrojtëse, duke e dezinfektuar shkollën në vazhdimësi.

“Ne në vazhdimësi jemi duke dezinfektuar shkollën dhe duke i bërë matjet e temperaturës në hyrje të shkollës. Deri më tani nuk ka ndonjë problem dhe mësimi po vazhdon në mënyrë normale”, ka përfunduar drejtori.

Kujtojmë se mësimi në vendin tonë ka filluar me vonesë dhe po zhvillohen me numër të përgjysmuar nëpër klasa, duke mbajtur maskat dhe ruajtur distancën nga të gjithë. /PORTALI.info/

 

Më shumë rreth