"Egzona nuk është dhunuar" - Familjarët japin detaje për shëndetin e 26-vjeçares nga Skenderaj

| E Marte  27 Tetor 2020 20:16 |
"Egzona nuk është dhunuar" - Familjarët japin detaje për shëndetin e 26-vjeçares nga Skenderaj

Para dy ditësh është gjetur e gjallë por në gjendje të rëndë shëndetësore Egzona Islam Ferati, e cila ishte raportuar e zhdukur për rreth 10 ditë.

Ajo është gjetur në fshatin Çikatovë të Drenasit, nga vullnetarë të cilët i ishin bashkuar aksionit masiv për kërkimin e saj.

Ani pse Policia e Kosovës kishte hapur rastin e dyshuar si ‘dhunim’, familjarë të saj e kanë mohuar një gjë të tillë për Portali.info, duke dhënë sqarime shtesë për gjendjen e saj shëndetësore.

“Është keqinterpretuar nga mediat, unë jam personalisht në spital dhe e kam përcjellur nga afër gjendjen e saj. Kur e kemi sjellë në spital, në momentin që i është ofruar ushqim dhe ujë, vajza është kthjellur. Emergjenca nuk e ka pranuar si rast, pasi që ka thënë se vajza nuk është për emergjencë. Pasi e kanë kontrolluar doktorët i janë bërë edhe ekzaminimet tek gjinekologu dhe vajza nuk ka pasur asnjë shenjë të dhunimit apo ndonjë gjë të tillë siç është raportuar në media. Policia e ka hapur rastin si dyshim, pra nuk është konstatim, pasi që konstatimi do të duhej të bëhet nga mjeku ligjor, i cili nuk do ta marrë rastin për ta ekzaminuar pasi që nuk ka pasur asnjë shenjë dhune sipas gjinekologut”, ka thënë një nga familjarët e Egzonës.

Tutje, ai ka folur edhe për gjendjen shëndetësore të vajzës, duke treguar edhe detaje nga zhdukja e saj.

“Gjendja shëndetësore e vajzës për momentin është e mirë, ajo po ushqehet me rregull dhe është stabilizuar. Kur kemi sjellë në spital, normalisht që ka qenë në gjendje të rënduar, pasi që vajza dyshohet se nuk ka urinuar në ditët sa nuk ka qenë në shtëpi dhe për këtë shkak ka pasur disa infeksione të cilat tashmë kanë kaluar dhe është në rregull”, ka thënë familjari i Egzonës për Portali.info.

Ai ka thënë se dyshohet që vajza ka dalur për të ecur në mal dhe ka humbur rrugën, pasi që ajo është gjetur rreth 6 kilometra larg shtëpisë së saj.

Ndryshe, për gjetjen e 26-vjeçares ishte organizuar edhe grupi për kërkim-shpëtim i drejtuar nga Ridvan Tahiri. /PORTALI.info

Më shumë rreth