Humbi këmben në furrë – fiton të drejtën, por nuk i japin dëmshpërblimin (VIDEO)

E Hëne  27 Qershor 2022 23:10 |
Humbi këmben në furrë – fiton të drejtën, por nuk i japin dëmshpërblimin (VIDEO)

Fatmir Sopa nga fshati Sllovijë i Lipjanit në këtë mënyrë detyrohet të lëvizë për nevojat e tij, pasi që shtatëmbëdhjetë vite që ka mbetur pa një këmbë, pas një aksidenti që kishte ndodhur në vendin e punës.

“Kur jena nis mu ngjit përpjetë ka kalu katin e katërt, afër të pestit veq u nal edhe përnjëherë sikur te thyen një shkop edhe për te poshtë” thotë Sopi për lëndimin që mori nga Lifti.

Vetëm pas një viti përvojë pune në fabrikën “Milenium Group”, ai bashkë me dy kolegë tjerë ishin lënduar duke bërë bartjen e miellin me ashensorë.   

Që nga atëherë, Sopa kishte filluar betejën ligjore, me gjithë zgjatjen e procesit në vitin 2015 ai kishte fituar lenden në tre instanca gjyqësore. Sipas aktvendimit kompania ishte e obliguar që për lëndimet në punë ta komensonte Sopën prej 85 mijë euro, por pavarësisht këtij vendimit të tre gjykatave këto mjete ai ende nuk i ka marrë, derisa jeton me një pension 100 euro në muaj.

“I kam fitu gjyqin, dëmshpërblimin e krejt, por paret s’po mund ti marr”, tha Sopa, shkruan Portali.info

Avokati i tij, Sabri Kryeziu thotë se kompania i kishte ofruar pajisjet e mullirit si kompensim për shumën prej 85 mijë eurosh, por sipas tij ato asnjëherë nuk kanë mundur të largohen nga objekti.

“Pala e paditur i ka fortifiku makinat pajisjet, të cilat në procedurën përparimore kanë kalu në pronësi të paditësve, Fatmir Sopës, dhe Ilir Mujës.I ka fortifiku që është e pamundur për mi marr ato, sepse ato janë makina të tyrë, dhe krejt kjo është bërë me vetëdije, dhe dashje”, tha Kryeziu.

Edhe përmbaruesi privat, Fadil Hoxha thotë se ata e kanë pasur të pamundur heqjen e atyre pajisjeve pa dhënë detaje tjera, për mos ekzekutimin e vendimit gjyqësor.

“Herën e fundit kur kam dalë në ekzekutim për heqjen dhe dorëzimin e pajisjeve, avokatët e kreditorëve kanë dështuar të sigurojnë mjeshtër e staf për demontimin e heqjen të pajisjeve , dhe ka dështuar seanca. Kurdo që avokatët gjejnë ekipet përkatëse dhe njoftojnë . Unë këtë punë kam” tha përmbaruesi Fadil Hoxha.

Kanal10 ka kontaktuar me pronarin e kompanisë, Valon Voci, mirëpo ai ka thënë se nuk ka përgjegjësi, pasi sipas tij në kohën kur ka ndodhur aksidenti pronar ka qenë dikush tjetër, dhe tash fabrika quhet “Premium Bakery”.

Gjithashtu televizioni ka bërë përpjekje që të marr një përgjigje nga ish-pronari Jakup Ramadani, por pavarësisht pritjes për disa ditë ai nuk ka folur me arsyetimin se nuk po ka kohë. Sidoqoftë ndaj Vocit, dhe Ramadanit ishte ngritur një kallëzim penal në korrik të vitit 2021, për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore,

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë se për këtë rast janë duke i zhvilluar hetimet.

“Ky kallëzim penal është ushtruar në drejtim të veprave penale :Mospërfillja e gjykatës” nen 393 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe vepës penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”, nen 394 të KPRK=së, Ndaj kësaj çështjes penale është duke u zhvilluar procedurë hetimore, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje tjera”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelorë në Prishtinë.

Për raste të tilla nga IKD kanë thënë se mund të bëhet marrëveshje mes kreditorit dhe përmbaruesit privat në mënyrë që të arrihet dhe të plotësohet vendimi i gjykatës

“Në rast kur kreditori nuk ka mjete monetare për ti paguar ato shpenzime, kreditori mund që pasi që ti merr ato mjete për shpenzimet e tij ti shes mjetet dhe nga ajo shitje të merr atë kompensimin që është dashur ta paguaj kreditori”

Kushtet e rënda në punë, zvarritja e lëndëve gjyqësore, vështirësitë për të arritur te dëmshpërblimi janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballën punëtoret në Kosovë./PORTALI.info/

Më shumë rreth