Kërkesat e naftëtarëve të Kosovës për Qeverinë, hasin në vesh të shurdhër

E Marte  27 Tetor 2020 19:35 |
Kërkesat e naftëtarëve të Kosovës për Qeverinë, hasin në vesh të shurdhër

Naftëtarët e Kosovës përpos pandemisë janë duke u përballur edhe me probleme të shumta nga vendimet e Qeverisë.

Portali.info ka kontaktuar me Kryetarin e Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili ka theksuar se i janë drejtuar Qeverisë me kërkesa dhe Ministrisë së Tregtisë, në lidhje me Kalibrimin e Agregatëve, Pastrimin e rezervarëve si dhe Udhëzimin për Kontrollin e Cilësisë, por se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga këta të fundit.

Ne kemi pasur një takim me ministrin e MTI-së, Vesel Krasniqi, ku i kemi shpalosur kërkesat tona për kalibrimin e agregateve, pastrimin e rezervarëve si dhe udhëzimin për kontrollin e cilësisë.

“Kemi kërkuar kalibrimin e agregateve, ku çmimi është rritur nga 10 në 26, në këtë kohë pandemie ku në tërë globin bizneset ndihmohen, tek ne ndodh e kundërta. Pastaj pastrimin e rezervuarëve, ku me udhëzimin 06/2019 parashihet pastrimi i rezervuarëve çdo tri vite dhe është në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore në fuqi, madje është kundërshtuar edhe zyra ligjore e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Në fund kemi kërkuar edhe udhëzimin për kontrollin e cilësisë i cili është në debat publik dhe po tentohet të kontrabandohet që kontrolli i cilësisë t’iu kthehet trupave inspektues. Në këtë udhëzim është dashur të jetë pjesë e grupit punues edhe Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës dhe Dogana e Kosovës, por ne jemi anashkaluar dhe as nuk kemi pranuar draft-udhëzimin”, ka deklaruar Berjani për Portali.info.

Ai ka thënë se naftëtarët kundërshtojnë dhe nuk pranojnë udhëzime të cilat po dëmtojnë bizneset.

“Kontrollin e cilësisë dhe leximin e certifikatës së konformitetit, e cila duhet të bëhet nga Dogana, që ka investuar mbi një milion euro, ndërsa ministri Vesel Krasniqi na ka premtuar se këto kërkesa do të rregullohen por deri më tani kanë mbetur vetëm premtime. Në anën tjetër kemi pasur kërkesë edhe për taksën që paguhet për kyçje në rrugë, e cila është taksë e padrejtë pasi që ajo duhet të paguhet vetëm kur merret leja e ndërtimit dhe jo të paguhet taksë çdo vit”, ka thënë Berjani.

Ai ka theksuar se për këto kërkesa ju kanë drejtuar edhe ministrit Arban Abrashi dhe ka thënë se tashmë presin përgjigje pozitive në ndihmë të bizneseve. Përpos ministrit, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës iu është drejtuar edhe zyrës ligjore të Kryeministrit dhe ka thënë që pritet të ketë një takim me kryeministrin Hoti në ditët në vijim. /PORTALI.info

Më shumë rreth