​Kurti e quan fatkeqësi të madhe ngjarjen tragjike në minierën e Artanës

E Marte  02 Qershor 2020 16:15 |
​Kurti e quan fatkeqësi të madhe ngjarjen tragjike në minierën e Artanës

Fatkeqësi të madhe e ka quajtur kryeministri Albin Kurti ngjarjen tragjike të ndodhur sot në minierën e Artanës ku humbën jetën një minator e një inxhinier.

Gjatë vizitës që bëri te minatorët, Kurti u tha atyre se do të ndihmojnë familjet e viktimave ndërkohë.

“Është ngjarje e rëndë, fatkeqësi e madhe, pasoja tragjike, por duhet të mbaheni të forte sepse tash nuk mund të ndryshojmë diçka sa i përket fatit të Hakiut dhe Idrizit, por do të kujdesemi për familjet e tyre dhe për gjithë kolegët që paskan qenë aty te punishtja 249. Shyqyr që kanë shpëtuar, kanë pas fat”, tha Kurti.

Ndërkohë që ekipet e FSK-së, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve dhe KEK-ut po kryejnë punën e tyre të kërkim-shpëtimit, minatorët kërkuan që të jenë pjesë e procesit të gërmimit.

Sylë Gërbeshi është minatori që ka qenë brenda kur ka ndodhur aksidenti.

“Fati e ka lëshuar perëndia atë bllok. Tash nuk kemi kurrfarë mundësie. Mundësitë janë qysh me i tërheq ata dy vëllezër nga aty, a po na lejojnë ne kolegët të shkojmë brenda për t’i tërhequr së bashku me këta vëllezër që kanë ardhur FSK, policia, nëse jo, po presim këtu. Jemi të kënaqur të marrim pjesë edhe ne”, tha ai.

Edhe Vehbi Gërbeshi, minator, shprehu gatishmërinë që të marrin pjesë në tërheqjen e trupave të ngujuar në minierë.

“Të na lejohet edhe neve të hyjmë, sepse kemi mundur me qenë ne aty. Ata kanë pas fatin deri aty, inshalla Zoti i ka shpërblyer me të mira”, tha Gërbeshi.

Minatorëve iu tha se do t’u kërkohet ndihma nëse është e nevojshme.

“Është gjithmonë dhimbje e madhe kur vdesin qytetarët e vendit tonë, por dhimbje edhe më shumë kur vdesin punëtorët në vendin e punës e kur vdesin minatorët posaçërisht, mirëpo tash këto ekipet e kërkim-shpëtimit i kanë procedurat e mënyrat e tyre. Ne duhet t’u ndihmojmë atyre, sepse janë ato që e vlerësojnë si munden sa më shpejt t’i nxjerrin minatorin dhe inxhinierin prej asaj punishtes 24”, u tha Kurti minatorëve.

Hysen Vrajolli, ushtrues detyre i drejtorit të minierave tha se tragjedia ka ndodhur në hyrje të punishtes 24.

“Vetë fakti ku ka ndodhur aksidenti, ka ndodhur në hyrje të punishtes që ne kemi konsideruar që është shumë e sigurt, sepse vetë fakti që ka ndërtuar jetë inxhinieri që është për siguri dhe punë, të jep të kuptojmë se aty nuk ka qenë e sigurt, por miniera hapësira nëntokësore nuk mund t’i kontrollojmë ndonjëherë, për atë arsye e lexoni aty në hyrje të minierës, është fjala ‘me fat’. Ne jemi të mërzitur për këtë rast që ka ndodhur, por raste të tilla ndodhin”, tha ai.

Dy persona kanë humbur jetën vazhdojnë të jenë të ngujuar në minierë ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e FSK-së, Policisë së Kosovës, zjarrfikësit. Për viktimat, KosovaPress mëson se bëhet fjalë për një minator dhe një inxhinier që kanë shërbyer në këtë minierë. Nga ky aksident nuk kanë mbetur punëtorë të tjerë mbetur brenda i ngujuar.

Ngjarja tragjike ka ndodhur mëngjesin e së martës ku në një nga horizontet e Minierës së Artanës ka pasur shembje të dheut.

Dy personat që kanë humbur jetën ishin brenda derisa një pjesë e minierës u shemb.

Te Miniera e Artanës aktualisht janë edhe Xhelal Svecla, ushtrues detyre i ministrit të Brendshëm dhe Rozeta Hajdari, ministre në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Ndërmarrësisë. /Kp

Më shumë rreth