Miroslav Lajçak sot në Prishtinë, diskutohet për marrëdhëniet Kosovë-Serbi

E Enjte  25 Nëntor 2021 08:57 |
Miroslav Lajçak sot në Prishtinë, diskutohet për marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë, Serbi, Miroslav Lajçak do të vijë sot në Kosovë.

 
Lajmi për vizitën e tij e bëri të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë për të cilin ende shpresojmë që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti”, deklaroi Stano.

Përpos kësaj, Stano përkujtoi se në takimin e fundit i cili është zhvilluar më 15 nëntor, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së kërkuan nga Kosova dhe Serbia respektimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Stano njashtu theksoi se kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë të Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas, që është arritur në kuadër të dialogut.

Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës sërish refuzoi kërkesën e shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që ta vizitojë Kosovën.

Bazuar në të dhënat që posedon BE-ja, Stano theksoi se vizita ishte paralajmëruar me kohë dhe procedurat ishin në përputhje me marrëveshjen.

Ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë deklaruar se janë të gatshëm të rishqyrtojnë qëndrimet dhe të aprovojnë eventualisht vizitat në të ardhmen.

“..Nëse z. Petkoviq tregon gatishmëri që të përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”,u tha në përgjigjen e MPJD-së.

Vizita e Lajçak në Prishtinë vie pas vizitës që ai pati në Beograd, meqë rast takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ku padyshim tema kryesore e diskutimit ishte sërish Kosova dhe marrëdhëniet në mes dy vendeve.