Raporti i Amnesty International për Kosovën: Ngritja e aktakuzave nga Specialja, të zhdukurit, dhuna në familje

E Mërkure  07 Prill 2021 23:43 |
Raporti i Amnesty International për Kosovën: Ngritja e aktakuzave nga Specialja, të zhdukurit, dhuna në familje

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI) sapo ka publikuar raportin vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit të fundit në 149 vende të botës.

Organizata arrin në përfundimin se gjatë 2020, pandemia dhe masat e marra për të vënë nën kontroll sëmundjen nxorën në pah me ngjyra të forta dhe në disa raste përkeqësuan edhe më shumë pabarazitë ekzistuese dhe tendencat për keqtrajtimin e grupeve të caktuara të popullatës.

Në kapitullin për Kosovën, raporti vëren ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj një numër figurash politike, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

AI po ashtu nënvizon me zhgënjim se shumë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës nuk po aplikojnë për përfitimet e statusit të të mbijetuarve si rezultat i stigmës që shoqërohet me këtë status në shoqëri. Gjatë vitit të mbuluar nga raporti, AI përmend shtim të rasteve të dhunës në familje si dhe vazhdim të diskriminimit ndaj romëve.

E vërteta, drejtësia dhe dëmshpërblimet

Amnesty International vëren hapjen e procedurave gjyqësore nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë. Organizata vlerëson faktin që në procedura u lejuan të marrin pjesë dhe të kualifikohen për dëmshpërblime viktimat e akteve nën gjykim. AI përmend në raport akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe politikanëve të tjerë, ndër ta Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, lidhur me krime të kryera gjatë periudhës së luftës, përfshirë vrasjen e 100 civilëve – grup i përbërë nga shqiptarë të Kosovës, serbë dhe romë.

Organizata ngre shqetësim për nxjerrjen e dokumenteve sekrete që përbanin identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, gjë që u pasua me ngritjen e akuzave ndaj dy zyrtarëve të Kosovës për kërcënim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.

AI ndalet në raport dhe në vendimin e gjykatës së apelit për të përgjysmuar dënimin ndaj ish-komandantit serb, Darko Tashiç i shpallur fajtor për krime të luftës në Krushë të Madhe.

Të zhdukurit

Amnesty International përsërit në raportin e 2020 mungesën e përparimit në ndriçimin e fatit të 1,643 të zhdukurve, megjithë thirrjet e familjarëve që qeveria e Kosovës dhe ajo serbe të hapin arkivat për të ndihmuar në identifikimin e trupave.

Dhuna me bazë gjinore

Raporti i fundit i AI arrin në përfundimin se një numër shumë i vogël grash kanë paraqitur kërkesë për të përfituar nga statusi i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës që i kualifikon ato për pension mujor. Orgnizata shprehet se megjithëse mijëra gra kanë kërkuar ndihmë psikologjike si pasojë e dhunës seksuale, shumë nga viktimat mbeten të ndrojtura nga stigmatizimi që shoqëron daljen publikisht si objekt i dhunës seksuale.