Shtetasi i Shqipërisë u ofroi 1 mijë lekë ryshfet kufitarëve kosovarë, prokuroria i ngritë aktakuzë

E Premte  22 Janar 2021 10:49 |
Shtetasi i Shqipërisë u ofroi 1 mijë lekë ryshfet kufitarëve kosovarë, prokuroria i ngritë aktakuzë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për korrupsion në Gjykatën Themelore në Gjakovë ndaj shtetasit të Shqipërisë, Gerald Daja.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, prokuroria pretendon se i akuzuari Daja në pikën kufitare Qafë-Morinë i ka ofruar të holla policëve kufitar me qëllim që ta kalojë kufirin pasi që nuk posedonte letërnjoftim apo pasaportë me vete.

Sipas aktakuzës, Daja po akuzohet se më 6 dhjetor 2020, rreth orës 12:00, në pikën kufitare Qafë-Morinë, ka ofruar të holla si dhurata që personi zyrtar të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që derisa zyrtarët policor kufitar ndalojnë automjetin “Hyndah”, të cilin e drejtonte i akuzuari, me qëllim të regjistrimit dhe kontrollit doganor, i akuzuari iu ofron patentë shoferin dhe kontratën e veturës të cilën e kishte marrë me rentë (qira), kur zyrtari policor e njofton se nuk mund të kalojë për shkak se nuk posedon letërnjoftimin apo pasaportë me vete, i akuzuari kthehet në veturë e prapë vjen tek pika e kontrollit e ku zyrtarit ia dorëzon të njëjtat dokumente por brenda dokumentacionit kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej 1,000 lekë të reja, në këmbim të kalimit të kontrollit kufitar pa dokumentacion personal, e kur zyrtari e pyet se pse ndodhën këto të holla këtu, i akuzuari i përgjigjet: “shef, janë për një kafe”.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.