ZKA-ja shpërblen me kontratë për furnizim me laptopë kompaninë që s’i plotësoi specifikat e kërkuara

E Marte  12 Maj 2020 07:08 |
ZKA-ja shpërblen me kontratë për furnizim me laptopë kompaninë që s’i plotësoi specifikat e kërkuara

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka rekomanduar për kontratë për furnizim me 40 laptopë një kompani, e cila në ofertën e saj nuk i ka plotësuar specifikimet teknike të kërkuara në dosje të këtij tenderi.

Për këtë arsye, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim që të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës të ZKA-së dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim. Këtë vendim Gjykata e Tenderëve e ka marrë pasi që e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “N.T.P. Vlora”. ZKA-ja kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Info Com”. Vlera e paraparë e kontratës për këtë tender ka qenë 28 mijë euro. Ndërkohë që oferta e kompanisë “Info Com” ka qenë më e lira, prej 22 mijë e 899 eurosh. Kompania ankuese ka ofertuar me një çmim prej 27 mijë e 359 eurosh.

“Anulohet njoftimi për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull ‘furnizim me 40 laptopë për nevoja të stafit të ZKA-së’ ... të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Zyra Kombëtare e Auditimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

OSHP-ja ka vlerësuar se kapaciteti i laptopëve të ofruar nga kompania që është rekomanduar për kontratë nuk është përputhur me kërkesat në dosjen e tenderit.

“Paneli Shqyrtues konform ekspertit shqyrtues/teknik sqaron se pas shqyrtimit në detaje të pretendimit të Operatorit Ekonomik ankues, dosjes së dorëzuar nga Operatori Ekonomik i rekomanduar për kontratë kontrollimit të Dosjes së Tenderit dhe Aneksit 1, bazuar në faktin 1 (specifikat teknike të detyrueshme) dhe në Faktin 2 (specifikat e produktit të shkarkuara nga faqja zyrtare e prodhuesit), vjen në përfundim që produkti i ofruar nga Operatori Ekonomik i rekomanduar, konkretisht produkti: "ASUS NOTEBOOK X543UB- DM883 vjen maksimalisht me hardisk me kapacitet prej 256GB SSD”, thuhet në vendimin e OSHP-së. Në specifika teknike, sipas vendimit, ZKA-ja kishte kërkuar laptopë me kapacitet 300 GB SSD. Prandaj, në vendim thuhet se ky pretendim i kompanisë ankuese është i bazuar.

Një specifikë teknike të cilën, sipas OSHP-së, nuk e ka plotësuar kompania që është rekomanduar për kontratë janë edhe portet hyrëse për USB.