Alec Baldwin përfshihet në një zënkë me gazetarin që e pyeste për incidentin ku mbeti e vdekur Halyna Hutchins

E Mërkure  08 Dhjetor 2021 19:47 |
Alec Baldwin përfshihet në një zënkë me gazetarin që e pyeste për incidentin ku mbeti e vdekur Halyna Hutchins

Aktori Alec Baldwin është xhiruar para shtëpisë së regjisorit Woody Allen në Manhattan të New Yorkut, ku e sulmoi verbalisht një gazetar i New York Post.

Gazetari Jon Levine ka pikasur aktorin dhe bashkëshorten e tij para shtëpisë së regjisorit të njohur dhe e ka nxjerrë menjëherë telefonin dhe ka nisur ta xhirojë.

“Zotëri Baldwin, çfarë ju sjell në New York?”, ka pyetur gazetari, por gruaja e aktorit, Hilaria, i kërkoi të largohej.

Gazetari e injoroi këtë dhe vazhdoi të filmonte dhe të bënte pyetje, gjë që e tërboi yllin hollivudian.

“Nuk mund të bësh foto para shtëpisë private të dikujt”, ka thënë ai duke tundur ombrellën që mbante në dorë drejt Levine duke e shtyrë përsëri në trotuar.

Hilaria ka reaguar shpejt dhe ka kapur bashkëshortin e saj që konflikti të mos përshkallëzohej.

 

“Kjo është pronë publike”, bërtiti gazetari Levine, ndërsa Hilaria i përsëriste vazhdimisht: “Ik, ndalo!”.

“A nuk e keni tërhequr vërtet këmbëzën? A besoni se arma ka qëlluar pa e tërhequr këmbëzën? A ishte vërtet një mosfunksionim?”, ka vazhduar gazetari me pyetjet, por Baldwin nuk është përgjigjur.

Kujtojmë, aktori së fundmi ka dhënë një intervistë të detajuar në lidhje me xhirimet e “Rust” dhe qau në përgjigje të pyetjeve se pse i drejtoi armën kineastes Halyna Hutchins dhe tha se nuk kishte dëgjuar asnjë ankesë për sigurinë në sheshxhirim.

 

Baldwin i tha prezantuesit George Stephanopoulos se nuk kishte asgjë për të fshehur dhe se nuk ndihej fajtor për incidentin.

“Dikush është përgjegjës për atë që ka ndodhur dhe nuk mund të them se kush është, por e di që nuk jam unë”, ka deklaruar aktori.