Sonte luhet derbi i madh anglez Liverpool - Arsenal

E Hëne  28 Shtator 2020 16:51 |
Sonte luhet derbi i madh anglez Liverpool - Arsenal

Në mbrëmje, në orën 21:00, luhet Liverpool – Arsenal,  maksimumi që mund të ofrojë në këto momente futbolli anglez. 

Kampionët në fuqi të Anglisë përballë fituesve të FA Cup. Dy nga skuadrat më në formë për momentin në Premier League (kanë marrë nga dy fitore në po kaq ndeshje) sfidojnë njëra-tjetrën në “Anfield”, aty ku “The Reds” i kanë fituar të katër sfidat e fundit në kampionat.

Por kujdes, “Topçinjtë” kanë nisur t’i shkaktojnë mjaft probleme skuadrës së Jurgen Klopp në përballjet e fundit: fituan në “Community Shield”, fiks një muaj më parë, pas goditjeve të 11-metërshave, si dhe takimin e fundit në kampionat, të zhvilluar në “Emirates” (2-1). Suksesi në Premier League i Arsenalit ishte i vetmi në 10 ndeshjet e fundit mes dy skuarave në elitën e futbollit anglez. Arsenali nuk arrin t’i mposhtë dy herë radhazi “The Reds” në kampionat që nga viti 2012.

Sa u përket formacioneve, Liverpooli duhet të bëjë pa kapitenin Jordan Henderson, i cili nuk është riaftësuar ende nga dëmtimi që pësoi në sfidën me Chelsea-n, teksa mund të debutojë titullar Thiago Alcantara, i cili e shfaqi klasin e tij në pjesën e dytë ndaj bluve të Londrës. Milner është në dyshim, ndërsa mungesa të sigurta janë dhe Matip e Oxlade-Chamberlain.

Nuk paraqitet më e mirë situata në infermieri në kampin e “topçinjve”, ku Chambers, Martinelli, Mustafi dhe Rowe janë mungesa të konfirmuara, ndërsa në dyshim mbeten Soares, Sokratis dhe Tiemey.

Arsenalit i duhet të zhvillojë ndeshjen perfekte në “Anfield”, aty ku Liverpooli është i pamposhtur në 60 ndeshjet e fundit në Premier League (49 fitore dhe 11 barazime). “Topçinjtë” kanë i fituar për herë të fundit tri ndeshjet e para të kampionatit në sezonin 2004-2004, ecuri që do të tentojë ta përsëritë tani.

Më shumë rreth